LETER E HAPUR
PRESIDENTIT TE KOSOVES
KRYEMINISTRIT TË KOSOVES
MINISTRAVE DHE DEPUTETEVE TE KOSOVES
TË NGRITET VETËDIJA SHTETFORMUESE
RESHAT SAHITAJ & BEHARE REXHEPI
Shekuj me radhë populli ynë u sakrifikua për lirinë që ne sot e jetojmë. Dinjiteti dhe atdhedashuria u tregua kur mbi një milion shqiptar u kthyen nga bota rehatshme në shtëpitë e tyre ende pa u shuar flaka dhe tymi i oxhaqeve të tyre. Në fytyrën e secilit dukej gëzimi dhe lumturia që, më në fund, vuajtjet, torturat, vrasjet, burgosjet, e sakrifica kolektive e një populli të tërë u kurorëzua me lirinë. Populli ishte i vetëdijshëm se na prisnin ditë e vite të varfërisë, por më mirë të varfër se sa të jetohej me frikë në palcë.
Kurrë më forcat serbe nuk do na trokasin në derë për të na burgos djalin apo dhunuar vajzën. Kurrë më nuk do të ndodhin vrasje enigmatike! Kurrë më nuk do shfrytëzohej pasuria e Kosovës nga të huajt! Këto dhe shumë mendime tjera pushtuan mendjen e shqiptarit me shpesë se do vinin ditë të mira.
Gjendja sociale e pasluftës
Gjendjen e rëndë ekonomike të ditëve të para të lirisë e zbuti Bashkësia Evropiane duke ndarë miliona pastaj miliarda dollarë ndihmë Kosovës. Edhe pse një pjesë e këtyre ndihmave humanitare shkonin ne xhepa të ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve tanë që përfitonin nga tragjedia e një populli të tërë, Kosova ndërtohej më shpejt se ç’ishte planifikuar.
Me konsolidimin e Parlamentit dhe Qeverisë sonë, ndihmat u rralluan dhe na mbetej që vetë të mendonim për ngritjen e ekonomisë dhe të standardit të jetës së qytetarit tonë. Mirëpo, në vend se të zhvillohej ekonomia dhe standardi i përgjithshëm, çdo ditë e më tepër ngrihej standardi i personaliteteve politike. Enigmatike është se si ministrat tanë brenda pak muajve shndërrohen në milionerë! Enigmatike është se si Kosova me tërë resurset e pasurisë nëntokësore ende mbetët vendi më i varfër në botë?!
Pyesim: sikur të ishte vetëdija e shtetformimit tek personalitet politike, a do të ishte Kosova vendi me i varfër në Evropë.
Kontrolli mbi media
Jo rastësisht mediet konsiderohen si arma më e fuqishme pas bombës atomike. Jo rastësisht qeveria jonë në mënyrë të sofistikuar ka shtrirë kontrollin në të gjitha mediet, natyrisht, jo duke ushtruar dhunë direkte, por duke i vënë në pozita gazetarët më besnik të tyre dhe duke i infiltruar ndonjë gazetar aty ku nuk ka ndikim. E, kontrolli mbi media, thuhet përgjithësisht në traditën informative, i ndihmon qeverisë t’i fshehin gjurmët e krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.
Pyesim prandaj, po të ishte ngritur ashtu si duhet vetëdija e shtetformimit tek personalitet politike nën qeverisjen tuaj, a do të kishit nevojë të censuroni mediet.
Pozita dhe opozita
Se pari në Kosovë nuk ekziston asnjë parti politike e mirëfilltë ku anëtarët e tyre aderojnë për programin partiak. Kalimi prej LDK-së në AAK, prej AAK në PDK, prej PDK-së në LDK është barometri më i mirë që na tregon se anëtarësia e tyre janë karrieristë që mendojnë vetëm për pasurimin e tyre individual. Është e pashpjegueshme se si një individ që përmes mjeteve te informimit deklaron gjërat më të këqija aderon të nesërmen po në atë parti! Pyesim, mos individët e tillë që bëjnë kalimin prej njërës parti në tjetrën, janë të zhytur në krimin e organizuar dhe për të gjetur mbrojtje i mbështeten njërës apo tjetrës parti. Individët e tillë janë në kërkim të mbrojtjes së pasurisë së tyre të fituar përmes grupeve mafioze. Këta as që kanë menduar për parti e lëre më për fatin e popullit.
Besoj se po të ngritët vetëdija e shtetformimit tek personalitet politike, më pak do të ketë kalime në partinë rivale.
Korrupsioni, droga dhe prostitucioni pengesë për integrimin në BE
Ka kohë që personalitet politike e sidomos ata ne pozita kyçe për integrimin e Kosovës në BE, manipulojnë opinionin tonë me deklaratat e tyre stereotipe, duke e cekur se pasaportat biometrike janë pengesë për liberalizimin e vizave, duke mashtruar opinionin se së shpejti do të integrohemi në BE etj. Në fakt këto janë deklarata për t’iu dhënë shpresa të rreme popullit dhe njëherit për t’i hedhur pluhur syve BE, që të përfitojnë nga fondet e dedikuara për këtë gjë.
Kudo në botë ekziston korrupsioni i personaliteteve politike, por në momentin kur një personalitet dyshohet ose zbulohet i merret imuniteti dhe dënohet. Raste të tilla kemi sa të duash, por ndër më spektakularët është ai Drejtorit të NATO-s Wily Claess, i cili dha dorëheqje se akuzohej për 2 milion DM, të cilat nuk i kishte futur ne xhepin e tij, por në atë të partisë se tij. Rasti tjetër është ai i kryetarit të Francës, i cili akuzohej për një biletë të aeroplanit që e kishte shfrytëzuar në emër të qeverisë për vajzën e tij. Këto ditë në Belgjikë akuzohet Van Correnberg i PS. Si është e mundur që në Kosovë për asnjërin ministër të mos guxojmë të dyshojmë se ka keqpërdorur fondin publik për xhepin e tij personal?! Çka i duhet ministrit avokati nëse është i sigurt se nuk ka keqpërdor fondin publik?! Si guxojnë qytetarët të protestojnë për ta mbrojtur një ministër që dyshohet se ka keqpërdor fondet e po atij qytetari?! Pas përfundimit të gjyqit nëse ministri apo deputeti del i pafajshëm ka të drejt të kërkon dëmshpërblim material dhe moral e jo të kërkojë mbrojtje morale dhe materiale nga qeveria, partia dhe anëtarësia e tij.
Po të ngritët vetëdija e shtetformimit tek personalitet politike, do të luftohet ndershmërisht korrupsioni droga dhe prostitucioni që janë pengesa numër një për integrime në BE.
Shendetësia
Në Kosovën e pasluftës sistemi i shëndetësisë është ndër më të mjerueshmit, jo vetëm në Ballkan, por ndoshta mund të krahasohet edhe me vendet më të varfra afrikane. Kudo në botë ekziston sigurimi shëndetësor e në Kosovë qytetari ynë nuk mund të shtrohet në spital pa dhënë fshehtas 200 euro, ku aty ka vetëm krevatin pa çarçafë, jastek e jorgan. Në spitalet e Kosovës pastërtia nën nivel, kujdesi nën nivel, pagesa e qytetarit mbi nivelin evropian.
Po të ngritët vetëdija e shtetformimit tek personalitet politike, do të ngrihet niveli në shëndetësi, sepse pa popull të shendosh nuk ka qeveri të shëndosh.
Pa zhvillimet kulturore pavarësia është e brishtë
Në çdo vend të botës e madje edhe në ato më të prapambeturat kulturës i japin rëndësi të veçantë sepse kultura është pasqyra më reale e një populli. Për fat të keq deri sot qeveria ka emëruar ministra akultural me një staf po aq destruktiv. Çdo subvencion nga Ministria e Kulturës jo vetëm që është keqpërdor, por edhe ju është ndarë atyre që nuk e kanë merituar. Kanë ndarë qindra mijëra euro për spektakël të misave, qindra mijëra euro për filma, që kurrë nuk janë punuar, madje nuk është bërë asnjë metër shirit filmik, dhe janë paguar botime të librave pa asnjë vlerë artistike e kombëtare.
Po të ngritët vetëdija e shtetformimit tek personalitet politike, do të zhvillohet kultura e mirëfilltë që do bëhet dritëshpërndarëse e idealeve të popullit në botë.
E kaluarja bazë e ndërtimit të së ardhmës
Është bërë një praktikë që çdo gjë e kaluar skajshmërisht të injorohet, duke u përpjekur që t’i glorifikojnë vetëm veprat e veta dhe të shokëve të tyre. Është krijuar bindja se lufta për pavarësinë e Kosovës ka filluar me 1997 dhe çdo kush tjetër që rrëfen se i ka kontribuar luftës për çlirim injorohet. Injorohen gjenerata të tëra patriotësh, dëshmorë e veprimtarë qe nga 1978 e deri më 1998. Për disa, viti 1998, konsiderohet dhe çmohet si vit i rezistencës sonë. Madje jo vetëm kaq, por injorohen dhe njollosën edhe disa që ranë heroikisht në fushëbetejën e lirisë. Injorohen dhe nuk përfillën familjet e shokëve të tyre, të cilët ranë në altarin e lirisë. Kujdesemi për ndonjë shokë të tyre, e për ndonjë që ndoshta as që e ka parë luftën me sy. Ende, kaq vjet pas luftës qeveria nuk gjen mundësi për ta përpiluar një libër objektiv për luftën! Si është e mundur?
Po të ngrihej vetëdija e shtetformimit tek personalitet shkencore, do të bëhej vlerësimi objektiv i historisë sonë aq të shtrembëruar.
Hapja e ambasadave dhe nominimet
Ambasadat janë pikat më të domosdoshme në funksionimin dhe zhvillimin e një shteti. Përmes ambasadave zhvillohen marrëdhëniet ekonomike dhe kulturore ndërshtetërore. Secili shtet kujdes të veçantë i kushton emërimit të ambasadorëve dhe stafit të tij. Zakonisht ambasadorët janë intelektual me një kulturë të përgjithshme, por para se gjithash verifikohet atdhedashuria e tyre ndaj shtetit të vetë. Kryesisht ambasadorët janë mbi dyzetvjeçar. Rast specifik është Franca ku në Irak e emëron ambasadorin 32 vjeçar, me të riun në historinë e saj. Në Kosovë ambasadorët emërohen në bazë të marrëdhënieve familjare dhe partiake. Nuk është aspak për t’u habitur nëse bisedoni me ndonjë ambasador tonin, i cili nuk e din kush ishte Jusuf Gërvalla dhe Enver Hadri, siç me ka rënë vërën e shkuar të bisedoj me njërin prej tyre. Edhe më keq madje, nuk duhet të habiteni kur ne ambasada tona të takoni emra që dikur i kanë shërbyer UDB-së, e të tillë ka!
Po të ngritët vetëdija e shtetformimit tek personalitet politike, do të emërohen ambasadorë e këshilltarë që dinë dhe e donë atdheun.
Prishtinë, 04/06/2010
Ky shkrim eshte botuar me lejen e RESHAT SAHITAJ